Armët kimike, sanksione ushtarakëve rusë?

11/04/2017 00:00

Ministrat e Jashtëm të grupimit G7 do të përpiqen të bien dakord për një qëndrim të përbashkët lidhur me konfliktin sirian, përpara se sekretari amerikan i Shtetit të udhëtojë në Rusi në përpjekje për ta bindur që të braktisë aleatin e saj sirian.

Rex Tillerson do të takohet gjithashtu me zyrtarë nga vendet aleate të Lindjes së Mesme përpara se të drejtohet për në Moskë.

Mbretëria e Bashkuar ka sugjeruar sanksione specifike dhe agresive ndaj oficerëve ushtarakë rusë dhe sirianë. Lëvizja vjen pas sulmit të fundit të armëve kimike në vendin e përfshirë nga lufta.

Nga ana e tij, regjimi sirian ka mohuar që të ketë kryer një sulm kimik në qytetin e kontrolluar nga rebelët Khan Sheikhoun javën e kaluar, ku mbetën të vrarë 89 persona.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja britanike, May u shprehën gjatë një bisede telefonike se nuk është më në interesin strategjik të Rusisë që të mbështesë presidentin Assad.

Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh dakord me presidentin Trump se Assad duhet të mbahet përgjegjës për sulmin.

Pas përdorimit të armëve kimike, një avion bombardoi një spital, një veprim që për SHBA ishte një përpjekje për të mbuluar sulmin. Kjo çoi në bombardimin e bazës ajrore siriane Shayrat të enjten e kaluar nga marina amerikane.

Top Channel