Suedi, kamioni përplaset me turmën. 3 të vdekur

07/04/2017 00:00

Rikthehen sulmet me automjete në Europë, trendi makabër më i ri që po përdoret nga terroristët. Këtë herë ishte Suedia që u trondit nga akti i përgjakshëm, kur një kamion u përplas me një dyqan në qendër të Stokholmit duke vrarë të paktën 3 persona.

Autoritetet suedeze thonë se 10 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa në gjendje serioze, në incidentin që u verifikua në rrugën e mbretëreshës, një prej shëtitoreve më të mëdha në këmbësorëve në kryeqytet.

Kryeministri suedez Stefan Lofven tha se gjithçka në dinamikën e sulmit të bën të mendosh për një akt terrorist dhe autoritetet po e trajtojnë si të tillë në hetimet e tyre.

Policia suedeze tha se kamioni i përdorur në sulm ishte vjedhur pak minuta para ngjarjes, madje shoferi i kamionit tregoi se pa personin e maskuar që i vodhi makinën, ndërsa ai po shkarkonte mallin në një restorant aty pranë.

Dëshmitarë okularë të ngjarjes thanë për mediet se agresori, sapo hyri në rrugën e mbretëreshës, i dha gaz fort makinës dhe u vërsul drejt njerëzve dhe kujtdo që i dilte përpara.

Pavarësisht se mediet raportuan për të paktën një të ndaluar për ngjarjen, policia suedeze tha se ka nisur një gjueti të vërtetë njerëzore, por aktualisht askush nuk ka përfunduar në pranga. Autoritetet në Stokholm publikuan foton e një individi të marrë nga një kamera sigurie dhe thanë se ai kërkohet në lidhje me ngjarjen, por pa dhënë detaje për shkak të hetimit në vazhdim.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel