Grupi bask ETA, do të çarmatoset të shtunën

07/04/2017 00:00

Grupi separatist bask ETA, do të çarmatoset plotësisht ditën e shtunë, kanë pranuar liderët e saj.

Në një letër dërguar gazetarëve, drejtuesit e grupimit pranuan se armatimet e fundit të tyre do të dorëzohen ditën e shtunë në Bayonne dhe se më pas grupimi do të operojë si pjesë e shoqërisë civile, për të arritur “paqen dhe lirinë për vendin”.

Grupi bask ETA, u themelua më 1959, nën regjimin represiv të Gjeneralit Franko dhe luftoi për të krijuar një komb sovran në veri të Spanjës dhe jug të Francës dhe ky grupim është përgjegjës për më shumë se 800 vdekje.

Bombardimet, vrajset dhe zhvatjet, ishin metodat me të cilat operonte ky grupim prej vitesh.
Ende nuk është e qartë pse ky grupim vendosi të dorëzojë armatimet e fundit, por mediat spanjolle spekulojnë se grupimi ishte dobësuar shumë, pas bastisjeve të vazhdueshme të policisë.

Të tjerë zëra mendojnë se procesi i paqes është duke u shtyrë nga brenda, nga Arnaldo Otegi, një politikan bask, që i ka shërbyer organizatës edhe nga burgu.

ETA është shkurtimi i “Euskadi Ta Askatasuna”, që përkthehet “Baskët dhe Liria”.  

FOTO GALERI
1/1
Deklarata e Çarmatimit

Top Channel