Kualifikueset e Botërorit të femrave, Shqipëria mund 3-2 Kosovën

06/04/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare e femrave ka fituar derbin me Kosovën, në përballjen e tyre për kualifikueset e Botërorit “Francë 2019”.

Në “Elbasan Arena”, skuadra kuqezi e drejtuar nga Armir Grima e filloi shumë mirë ndeshjen, duke kaluar e para në avantazh me Bajraktarin, por Rexha barazoi për skuadrën e Kosovës brenda pjesës së parë.

Në të dytën, sërish Rexha kalon në avantazh përfaqësuesen kosovare të femrave, ndërkohë që Velaj, me një goditje standarde sjell barazpeshën e ndeshjes, duke çuar drejt barazimit takimin.

Presioni ishte shumë i madh nga skuadra e Grimës, aq sa detyroi skuadrën e Kosovës të gabojë në kohën shtesë duke shënuar një autogol, e duke i dhuruar përfaqësueses shqiptare fitoren e parë të këtyre kualifikueseve.

Ndërkohë, edhe protagonistet e ndeshjes sa i përket golave, nuk e kanë fshehur emocionin e madh të kësaj përballjeje të dy përfaqësueseve të të njëjtit komb.

Raundi i parë i fazës së grupeve të këtij Botërori po zhvillohet në vendin tonë, sa i përket grupit të dytë, ku bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën janë edhe Greqia e Malta. Me këtë të fundit do të përballet skuadra jonë më 8 prill, ndërsa më 11 prill do të zhvillojë ndeshjen e fundit përballë Greqisë.

Top Channel