Për të tretën natë radhazi, rrugët e Beogradit u mbushën plot me njerëz, kryesisht studentë që protestuan kundër fitores së kryeministrit Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

“Vuçiç, ke vjedhur zgjedhjet” dhe “Fund diktaturës” ishin disa prej sloganeve që thërristen turma e mbledhur përpara Parlamentit. Numri i pjesëmarrësve erdhi duke u shtuar, ndërsa protesta zhvendosej në drejtim të qendrës së qytetit.

Manifestuesit e konsiderojnë Vuçiçin autokrat, ndërsa partinë e tij progresiste si të korruptuar.

“Ne mbështesim kërkesat e ligjshme të studentëve që kërkojnë shpërbërjen e Komisionit Zgjedhor, rregullatorit mediatik shtetëror, shkarkimin e kryetares së Parlamentit dhe të kryeredaktorit të Televizionit shtetëror RTS, për raportimin e padrejtë gjatë fushatës zgjedhore”, tha një student.

Ndërkohë, në intervistën e tij të parë që prej fitores në zgjedhjet e 2 prillit, Aleksandar Vuçiç u zotua të thellonte lidhjet tregtare me shtetet e tjera ballkanike.

Siç tha për median “Politico”, kjo ishte mënyra e vetme për të tejkaluar paqëndrueshmërinë rajonale. Presidenti i zgjedhur u shpreh veçanërisht entuziast për projektet e infrastrukturës që do të lidhin Beogradin me Sarajevën dhe Prishtinën.

Top Channel