Pepsi tërheq reklamën e fundit

06/04/2017 00:00

Reklama e re e Pepsit nuk zgjati as 24 orë në qarkullim dhe kompania u gjend e detyruar ta tërhiqte pas furtunës së reagimeve që shkaktoi ajo në mediat sociale.

Pepsi u akuzua se me spotin e vet te fundit po ia zbehte rëndësinë protestave të rrugës në mbarë Shtetet e Bashkuara. Modelja Kendall Jenner shfaqej aty duke braktisur një seancë fotografimi për t’iu bashkuar një demonstrate, ku binte qartazi në sy prania e rëndë policore.

Tensionin e madh të krijuar mes tubuesve dhe forcave të rendit, vajza arrin ta fashisë me një gjest të thjeshtë; duke i drejtuar një kanaçe Pepsi policit që ka përballë. Turma pas kësaj shpërthen në brohorima.

Ajo që ekipit krijues mund t’i jetë dukur një ide origjinale, u kthye në shkak polemikash të mëdha, që e deyruan firmën të postonte një deklaratë në faqen e saj, ku sqaronte se nuk kishte pasur për qëllim në asnjë moment që t’u ulte vlerën çështjeve serioze.

Prej gati dy vjetësh, Shtetet e Bashkuara janë përballur me protesta masive ndaj përdorimit të forcës policore kundër afro-amerikaneve, ndërsa që prej zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ka pasur tubime të vazhdueshme kundër shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

Top Channel