Raporti i FH: Në Europë po rritet populizmi

04/04/2017 00:00

Studimi i Freedom House tregon se referendumi i muajit prill të vitit 2016 në Holandë kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Ukrainës me Bashkimin Europian, vota britanike për largim nga BE-ja dhe zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara, ngritën dyshime të reja rreth situatës së brishtë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Në Europën Qendrore e Lindore dhe në Ballkan, vitet e populizmit dhe korrupsionit, sipas Freedom House, kanë gërryer institucionet demokratike, dikur premtuese. Përkeqësimi i demokracisë dhe konsolidimi i autoritarizmit ishin tashmë në udhë përpara këtij viti.

Por me përqendrimin e tashëm të Britanisë në tërheqjen e saj nga BE-ja dhe pozicionet e pasigurta të qeverive në rajon ndaj administratës së Trump-it, shtyllat e rendit pas Luftës së Ftohtë në kontinentin e vjetër duken papritur më pak të forta.

Ndonëse ekonomia ruse vazhdon të mbetet në stanjacion, presidenti Putin duket më pranë qëllimit të tij për një ndarje të re të Europës në sferat e ndikimit perëndimor dhe atij rus.

Ankesat nacionaliste mund të kthehen edhe një herë në monedhën më të fuqishme për udhëheqësit dhe partitë e rrezikuara, e kjo, vazhdon raporti, mund të nxisë rrezikun e luftës në Europë, duke përmendur këtu zhvillimet në Ukrainë, tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe shtimin mosmarrëveshjeve ndëretnike si pjesë e krizës politike në Maqedoni.

Zgjerimi i BE-së, vazhdon Freedom House, ka ndihmuar në përhapjen e demokracisë liberale në të gjithë kontinentin dhe mbetet ende mjeti më i mirë për përparimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të përgjegjshme.

Top Channel