“Puçi” venezuelian, kryeprokurorja aleate i del kundër Maduros

31/03/2017 00:00

Kryeprokurorja e Venezuelës, një aleate e presidentit Nicolas Maduro, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të marrë përsipër fuqitë legjislative të Parlamentit shkel hapur ligjin.

Luiza Ortega bëhet kështu zyrtarja e parë e lartë që kritikon masën e marrë nga Gjykata Kushtetuese, që është plotësisht nën urdhrat e Maduros. Gjykata ndërhyri në ndihmë të Maduros, pasi shumica në Parlament u mor nga opozita, ndërsa me justifikime qesharake i mori legjislativit fuqitë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shkelje e qartë e rendit kushtetues dhe injorim i plotë i modelit të shtetit tonë, që përcaktohet në Kushtetutë. Vendimi përbën një thyerje të rendit kushtetues. Është pjesë e detyrës sime, që për këtë t’i shpreh vendit shqetësim të thellë”, tha Luisa Ortega, kryeprokurore e Venezuelës.

Ortega u bëri thirrje palëve për bisedime, por nuk sqaroi se ç’masë mund të marrë në postin që ka, kundër një shkeljeje ligji si kjo. Por ajo është zyrtarja e parë e lartë që kritikon hapur qeverinë, ndërsa nga opozita kjo mund të konsiderohet si një krisje e mbështetjes së brendshme të Maduros.

Vendimi i gjykatës, që praktikisht shkarkoi Parlamentin, solli mjaft protesta popullore. Por pavarësisht atyre dhe kritikave ndërkombëtare, Nicolas Maduro, ish-shofer autobusi, vazhdon të udhëheqë si një diktator Venezuelën e varfër, ku edhe gjetja e bukës është shndërruar në sfidë të përditshme për qytetarët.

Top Channel