Zvicra: Zbatoni Reformën në Drejtësi. Rëndësi për anëtarësimin në BE

31/03/2017 00:00

Në vizitën e parë pas viteve ’90 të një kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim me presidenten e Konfederatës zvicerane, Doris Leuthard.

Ata biseduan për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh dhe çuarjen përpara të tij në fusha me interes të veçantë për vendin, si energjia, turizmi dhe arsimi profesional. Në konferencën për shtyp pas takimit, presidentja Leuthard vlerësoi si shumë të rëndësishme Reformën në Drejtësi dhe zbatimin saj.

“Dua të përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë dhe qeverinë e tij për reformat që kanë ndërmarrë në 3 vitet e fundit, veçanërisht Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj, që është shumë e rëndësishme për Zvicrën, por mendoj edhe në procesin e anëtarësimit në BE. Është e vështirë që gjithë këto reforma të zbatohen, por keni mbështetjen e Zvicrës për t’iu ndihmuar dhe për t’iu këshilluar”, tha Doris Leuthard, presidente e Konfederatës zvicerane.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Reforma në Drejtësi, duke nisur nga “vetting”-u, është strategjike për vendin tonë.

“Vlerësoj shumë gjithçka është diskutuar dhe bërë në këto vite, por sot dua të nënvizoj se vlerësoj shumë prononcimin tuaj të hapur, si në takimin tonë, ashtu edhe përpara shtypit në lidhje me rëndësinë strategjike të zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke filluar nga ligji për ‘vetting’-un, si një mjet për të përmirësuar ekonominë tonë, një mjet për të përmirësuar shifrat që kanë të bëjnë me investimet e huaja direkte, si dhe një mjet për t’i hapur rrugë rritjes së punësimit dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë”, tha kryeministri Rama.

Pas takimit u nënshkruan edhe dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit profesional dhe për zhvillimin rajonal.

Top Channel