Ivanka Trump, këshilltare pa pagesë

30/03/2017 00:00

Ivanka Trump do të punojë në Shtëpinë e Bardhë, por pa pagesë, në rolin e një këshilltareje jozyrtare të Presidentit. Me këtë ajo po përpiqet dukshëm të sheshojë shqetësimet për etikën e të punuarit përkrah të atit.

“Kam dëgjuar shumë shqetësime për rolin tim si këshilluese e Presidentit, kjo për shkak të pozicionit personal. Por, unë po i përmbahem të gjitha rregullave të etikës dhe do të shërbej si një punonjëse pa pagesë e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa në anën tjetër do të zbatoj të njëjtat rregulla me punonjësit e tjerë”, tha Ivanka.

Pikëpyetje të shumta mbi konfliktin e interesit u ngritën pasi u bë e ditur më 20 mars se 35-vjeçarja Ivanka Trump do të ishte këshilltare jozyrtare e babait të saj, Presidentit Donald Trump, me një zyrë në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo dukshëm ka qenë një këshilltare me ndikim për të atin, por edhe për bashkëshortin Jared Kushner, që është përzgjedhur që në fillim si një nga këshilltarët kryesorë të Trump.

Top Channel