Miqësoret e luksit, fitojnë Italia e Spanja

28/03/2017 00:00

Mbrëmja e kësaj të marte ofronte veç takimit miqësor të Shqipërisë me Bosnje-Hercegovinën, të humbur nga kuqezinjtë me rezultatin 1-2, edhe disa ndeshje të tjera miqësore të konsideruara “luksi”, ku viheshin përballë njëra-tjetrës disa prej kombëtareve më në zë të Europës.

Italia e debutuesve, nëse mund ta konsiderojmë kështu testin e sotëm, mposhti 2-1 Holandën në miqësoren e luajtur në Amsterdam. Të zotët e shtëpisë kaluan në avantazh në minutën e 10 të lojës, duke përfituar nga një autogol i pafat i Romagnolit. Por “axurrët” barazuan shumë shpejt shifrat, vetëm një minutë më pas, me Eder.

Ndërkohë, pas gjysmë ore lojë ishte Bonucci, ai që dyfishoi rezultatin për italianët, në një ndeshje që nuk pati shumë shkëlqim në minutat e mbetura. Një debutim tepër pozitiv për Donnarummën në katërkëndëshin e Italisë si titullar, ndërsa patën mundësinë të vishnin fanellën e kombëtares edhe lojtarë si Verdi, D’Ambrosio, Gagliardini, Spinazzola dhe Petagna.

Në një tjetër ndeshje mes të mëdhenjve të Europës, Spanja mposhti Francën 2-0 në Paris, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga David Silva dhe Deulofeu, respektivisht në minutat 68 dhe 77.

Ajo që u dhurua në Portugali ishte më shumë sesa një shfaqje spektakolare. Portugezët kaluan dy herë në avantazh në pjesën e parë, me Cristiano Ronaldon dhe një autogol të Granqvist, por suedezët përmbysën gjithçka në 45 minutat e dyta me një dygolësh të Claesson dhe një autogol të Cancelos.

Ndërsa Rusia, organizatore e Botërorit të vitit të ardhshëm, barazoi 3-3 me Belgjikën, në një tjetër ndeshje që kënaqi tifozët e pranishëm me golat e shumtë.

Top Channel