Kuvendi i Maqedonisë ka shtyrë edhe një herë vazhdimin e seancës konstituitive, ku pritej të zgjidhej kryetari i ri i Parlamentit. Pas diskutimeve të gjata në Kuvend kishte paralajmërime se seanca mund të vazhdonte. Por diskutimet e kthyen atë në një rrugë pa fund.

Deputetët e partisë VMRO-DPMNE të Nikola Gruevskit nuk lëshojnë radhë, duke e zgjatur kohën e formimit të komisionit për të votuar në Kuvend.

Analisti Albert Musliu thotë se ka mënyra të tjera për të zgjedhur si kryetarin, ashtu dhe për formimin e qeverisë, pasi deputetët mund ta bëjnë një gjë të tillë me shumicën që kanë. Por bëhet kujdes për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

“Pavarësisht se qëndrimet VMRO-DPMNE-ja i ka kontradiktore, nga njëra anë deklarohet se është partia fituese, nga ana tjetër të gjithë këtë maskaradë e bën sepse nuk ka grup parlamentar, ato janë vetëm fjalë që keqpërdoren për të zgjatur procesin dhe për të vazhduar mandatin aktual të partisë sa më shumë që të munden në qeveri”, tha Albert Musliu.

Shqiptarët kanë pasur qëndrime të përbashkëta, përveç kundërshtimeve të Lëvizjes Besa ndaj kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim. Seanca pritet të vazhdojë të mërkurën dhe gjithçka duket se ka ngelur si në fillimin e saj.

Procedurat normale parlamentare në Maqedoni duken të vështira dhe ende nuk dihet sesi do të procedohet për votimin e kryetarit të ri të Parlamentit.

Top Channel