Ratifikimi i traktatit për pranimin e Malit të Zi në aleancën e NATO-s kapërceu një pengesë procedurale të hënën në Senatin amerikan, i cili mblidhet më vonë gjatë javës për votimin përfundimtar, duke e afruar akoma më shumë vendin ballkanik me anëtarësimin.

Aprovimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në Senat dhe pas kësaj, mund të ratifikohet nga Presidenti. Procesin e mbështeten 97 senatorë dhe vetëm dy ishin kundër.

Argumenti i dhënë nga njëri prej mbështetësve, Ben Cardin është se miratimi i traktatit do të përmirësojë sigurinë, do të forcojë Aleancen e do t’i dërgojë një mesazh të fortë Moskës.

“Asnjë vend jashtë Aleancës, e sidomos Rusia nuk mund të tregojë se kush mund të bashkohet e kush jo, prandaj ne duhet ta dërgojmë këtë sinjal”, citohet të ketë thënë ai.

Më herët gjatë këtij muaji, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson i dërgoi një letër Senatit që të miratojë traktatin para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, ku marrin pjesë Presidentët dhe Kryeministrat e vendeve anëtare.

Kryediplomati amerikan ishte në të njëjtën linjë me Cardin në arsyetimin e tij se pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s si anëtar me të drejta të plota dhe jo si vëzhgues, do të dëshmonte unitetin Trans-Atlantik dhe faktin që asnjë palë e tretë nuk mund të ketë fuqinë e vetos mbi vendimet e NATO-s.

Përfshirja e Malit të Zi në Aleancen veri-Atlantike do të përcaktonte, sipas Zërit të Amerikës, një kufi të ngjeshur të saj përgjatë brigjeve të Adriatikut.

Podgorica është kthyer në litarin që tërheq perëndimi nga njëra anë dhe Rusia nga ana tjetër, e cila synon ta shtojë influencën e vet në Ballkan. Rezultati i përplasjes do të sinjalizojë orientimin që do të marrë vendi e mbase edhe rajoni: drejt NATO-s e BE-së, thotë Zëri i Amerikës, apo prapa në sferën ruse të ndikimit.

Anëtarësimi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtarë të Aleancës dhe deri tani, tre prej tyre nuk e kanë përmbyllur miratimin.

Top Channel