Një çift në shtetin amerikan të Xhorxhias nisi procedurat për padi ligjore, pasi nuk u lejuan që t’i vendosin vazjës së tyre mbiemrin Allah. Departamenti i Shëndetit Publik në këtë shtet nuk ka pranuar që t’i japë certifikatë lindjeje vajzës që tashmë është 22 muajshe.

Elizabet Handy dhe Bilal Walk thonë se është e papranueshme që vajza e tyre Zalykha Graceful Lorraina Allah ka mbetur zyrtarisht pa emër. Por, sipas autoriteteve lokale, vajza duhet të ketë mbiemrin e njërit prej prindërve, ose një kombinim të tyre, po kurrsesi Allah.

Unioni Amerikan i Lirive Civile, që po ndihmon çiftin me padi, tha se vetëm prindërit kanë të drejtën t’i vënë emrin fëmijëve dhe jo shteti.

Megjithatë, zyrtarë lokalë thanë se mbiemri në certifikatën e lindjes duhet të jetë i njërit prej prindërve për shkak të rregullave të regjistrimit, e më pas nëse duan ta ndryshojnë mund t’i drejtohen gjykatës.

***

Një problem i ngjashëm u verifikua edhe në Kanada, ku mbiemri i një personi është cilësuar fyes. Lorne Grabher mori lajmërimin se targa e personalizuar e makinës së tij në të cilin shkruhej mbiemri i familjes, nuk do të rinovohej pasi ofendonte njerëzit.

Në fakt, nëse mbiemri i Lornes ndahet në dy pjesë, përkthimi është “mbërtheje atë” apo “kape atë” dhe është cilësuar nga disa si një nxitje për dhunë ndaj femrave.

Por Lorne thotë se këtë targë e ka pasur babai i tij për shumë vjet, ai vetë dhe gjithashtu i biri nuk kanë  pasur asnjë problem, apo ankesë nga njerëzit. Madje Lorne me krenari e mban mbiemrin e tij me origjinë gjermane edhe mbi fasadën e shtëpisë.

Sipas autoriteve lokale në Nova Scotia, ata morën një ankesë  të vetme për targën e cilësuar fyese dhe u detyruan të ndërhyjnë. Por Lorne Grabher ka vendosur të sfidojë autoritetet dhe vazhdon të mbajë targën e tij, duke thënë se nëse mbiemri i tij është fyes, atëherë mbase duhet ta heqin nga numëratori telefonik, ose ta urdhërojnë që ta ndërrojë.

Top Channel