Komisioneri europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn vizitoi Shkupin bashkë me një grup europarlamentarësh, në një përpjekje të re për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë, e cila edhe më shumë se 3 muaj pas zgjedhjeve vazhdon të mbetet pa qeveri.

Porosinë e tij të qartë, zyrtari i lartë i bllokut, i shoqëruar nga eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl, e dha që nga avioni. “Respektoni demokracinë dhe shumicën parlamentare, – është këshilla për udhëheqësit maqedonas, – dhe mos nxisni tensione ndëretnike”.

Ndonëse ishte konfirmuar paraprakisht, takimi i tij me Menduh Thaçin e PDSH-së nuk u realizua. Nga lista e bisedimeve të planifikuara të Hahnit u hoqën edhe ato me presidentin Gjorge Ivanov.

Edhe pse është pjesë kyçe e ngërçit të krijuar në vend, kreu i shtetit e anuloi përballjen me komisionerin europian. Veç arsyes për kthimin e vonë nga Hungaria, zyra e Ivanovit tha se presidenti ia ka bërë të qartë qëndrimin e tij komisionerit Hahn në takimin e fundit që patën më 10 shkurt dhe ai qëndrim mbetet i pandryshuar.

Hahn përfundoi takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes BESA, Aleancës shqiptare, BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Pas takimit me Hahn, kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se komisioneri kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja, si palë përgjegjëse për zgjidhjen e krizës, që t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe Maqedonia të formojë sa më shpejt institucionet e reja.

Në të njëjtin kuadër, udhëheqësi i LSDM-së Zaev, pas bisedës me Hahn tha se porositë e komisionerit ishin të qarta, ndërsa shtoi se proceset duhen përshpejtuar, pasi populli e ka humbur durimin.

“Porositë e Hahnit dhe eurodeputetëve janë të qarta. Ramë dakord që proceset duhet të vazhdojnë dhe të përshpejtohen. Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për qytetarët e Maqedonisë dhe për perspektivat euroatlantike”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në mbrëmje vonë, Hahn u takua edhe me kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili ashtu si një muaj më parë nuk ka lejuar kamerat e televizioneve në këtë takim, e as nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Top Channel