Kriza në Maqedoni, Hahn provon të zgjidhë ngërcin për qeverinë

21/03/2017 00:00

Komisioneri europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn udhëton sot drejt Shkupit bashkë me një grup euro parlamentarësh, në një përpjekje të re për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë, e cila, më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, ende është pa qeveri.

Zyrtarët europianë thanë se ai do të përsërisë thirrjet për respektimin e rezultatit zgjedhor dhe formimin e shpejtë të qeverisë.

Në axhendën e Hahn janë më së pari takimet me krerët e partive shqiptare, pastaj ai me kreun e LSDM-së Zoran Zaev; pasdite do të pritet nga presidenti Gjorgje Ivanov e në darkë bisedon me Nikolla Gruevksin.

Javën që shkoi, komisioneri bëri thirrje për dorëzimin demokratik të pushtetit në vend e më pas implementimin e reformave që kanë për bazë Marrëveshjen e Perzhinës.

Kjo është vizita e e tij e dytë brenda këtij viti në Shkup, pas asaj të datës 9 dhe 10 shkurt, kur nuk arriti që të pajtojë palët për gjetjen e kompromisit dhe zgjidhjen e ngërçit politik.

“Në një demokraci, shumica parlamentare duhet pranuar edhe nëse dikujt nuk i pelqen. Që këtu, pres që të gjithë liderët dhe institucionet, në interes të qytetarëve të lejojnë rrjedhjen e proceseve demokratike”, ishte porosia e zyrtarit të lartë të bllokut.

Por edhe këtë herë ai duket se nuk do ta ketë të lehtë të bindë krerët maqedonas të lëshojnë pe. Gjorgje Ivanov vazhdon t’ia refuzojë Zoran Zaevit mandatin dhe gjatë vizitës në Hungari mori mbështetjen e kryeministrit Viktor Orban, që deklaron se zgjidhja e vetme për krizën maqedonase do të ishin zgjedhjet e reja të parakohshme.

Nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët”, përfaqësuesit e së cilës Hahn ka refuzuar t’i takojë, organizoi nga ana tjetër mbrëmjen e së hënës protestën e radhës, ku kërkoi sërish refuzimin e platformës shqiptare.

Top Channel