Edicioni i 9 i “Big Brother” nisi…

18/03/2017 00:00

Edicioni i 9 i “Big Brother” u çel në një natë të madhe spektakli në ekranin e Top Channel, duke i qëndruar besnik asaj që kishte paralajmëruar, dashurisë.

Në dy shtëpi të ndryshme, njëra prej të cilave me kandidatë për konkurrentë “single” dhe në tjetrën, atë të luksit, kandidatët zyrtarë: pesë çifte.

Gerta dhe Denisi, Jona dhe Ademi, Fiorentina dhe Olsi, Katerina dhe Lupçe, Kei dhe Vivi, si dhe çifti më i veçantë i shtëpisë “B&B”.

Ky “Big Brother” do të ketë fitues të 100 milionë lekëve patjetër një çift. Prandaj edhe kandidatët që garojnë vetëm do të kenë 3 javë kohë, që publiku t’i njohë dhe t’i votojë për t’i bërë çift. Mes tyre janë Armela, Bernardi, Damiano, Danjeli, Donjeta, Ervini, Fotini, Liridoni, Sidrita dhe Xheni.

Në këtë fillim të “reality show”-t kishte dy lajmërime të rëndësishme. Mes çifteve nuk do të ketë marrëdhënie seksuale, derisa vëllai i madh ta lejojë këtë dhe mes një çifti nuk duhet të ketë as zënka apo debat.

Çift do të jenë po ashtu edhe opinionistët e “Big Brother”. Të përzgjedhurit e fillimit të spektaklit ishin Labinot Gashi dhe Qëndresa Bajrami, por nuk do të jenë të vetmit.

Audicionet e “Big Brother” ngelen ende të hapura për cilindo çift që mendon se meriton ta fitojë këtë garë.

“Big Brother” filloi vëzhgimin, duke premtuar surpriza që me narracion do të zbulohen hap pas hapi. Për gjithçka në këtë garë do të vendosë publiku.

* Një tjetër risi është se “Big Brother” këtë vit do të jetë më shumë se kurrë interaktiv në rrjetet sociale dhe publiku nga shtëpia mund të shkruajë në rrjetet tona të gjitha pyetjet dhe komentet, të cilat do të mblidhen dhe do të diskutohen në “Big Brother Fan Club”, nën prezantimin e Albana Osmanit dhe Olti Currit, të dielën në orën 13:00.

Top Channel