Gjykata, sërish kundër Trump për urdhrat antimyslimane

16/03/2017 00:00

Donald Trump merr një goditje të re nga gjykatësit amerikanë. Vetëm disa orë përpara se të hynte në fuqi urdhri i dytë ekzekutiv i tij mbi ndalimin e udhëtimit të shtetasve nga 6 vende myslimane, një gjykatës federal në Hawai bllokoi edhe përpjekjen e radhës të presidentit për të përmbushur zotimin e hershëm të fushatës.

Derrick Watson foli për prova të diskutueshme në mbështetje të argumenteve të qeverisë se, ndalimi përbën çështje të sigurisë kombëtare. Shefi i Shtëpisë së Bardhë reagoi ashpër ndaj lëvizjes së gjykatësit Watson.

“Duhet të tregohem i sjellshëm, sepse në të kundërt do të më kritikojnë e do të thonë se flas keq për gjykatat. Por vendimi i marrë në Hawai nuk është gjë tjetër veçse një dredhi ligjore e paprecedentë”, tha Trump.

Tre gjyqtarë federalë të Apelit mbajtën në fuqi muajin e kaluar vendimin e shtetit të Uashingtonit, që pezullonte urdhrin e parë të lëshuar më 27 janar, vetëm një javë pasi Trump bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Versioni i rishikuar u firmos javën që shkoi me synimin të shmangte çështjet gjyqësore, protestat dhe ndërlikimet në zbatimin e urdhrit të parë. Vendimi i ri ekzekutiv, i bërë publik më 6 mars, u mohon për 90 ditë vizat qytetarëve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, e ndalon po kështu pranimin e të gjithë refugjatëve për 4 muaj.

Kritikët këmbëngulin se urdhri i dytë i Trumpit është po aq diskrimues dhe antikushtetues sa edhe i pari, ndaj dhe kanë ndërmend t’i sfidojnë në vazhdimësi politikat e kreut të shtetit.

Top Channel