Mëkatari Aytekin, arbitri i kuqezinjve do dënohet

10/03/2017 00:00

Ka qenë shpeshherë në dilemë në ndeshje zyrtare në Bundesliga-n gjermane, në turnetë e UEFA-s dhe të FIFA-s e në jo pak raste ka ndërmarrë vendime të nxituara që kanë kushtëzuar paraqitjet e një kombi të tërë. Por duket se qeveria e futbollit europian është lodhur tashmë me gjykimin e Deniz Aytekin, arbitrit turko gjerman që u bë protagonist me disa vendime kontroverse në Ligën e Kampioneve këtë mesjavë.

Xhaketa e zezë që me të drejtë apo jo, i dha jo pak dorë triumfit historik të Barcelonës në Champions, me shumë gjasa do të pezullohet nga UEFA. Fati i turko gjermanit është në dorë të dizenjatorit të arbitrave të UEFA-s, italianit Pierluigi Collina dhe sipas mediave, ky i fundit nuk do të lejojë më asnjë ndeshje ndërkombëtare këtë sezon, të gjykohet nga Aytekin.

38-vjeçari dha penallti të dyshimta për Barçën ndërsa nuk vlerësoi si të tillë faullin e Mascherano-s ndaj Di Maria-s në Ligën e Kampioneve. Por kjo nuk është hera e parë që turko gjermani bëhet protagonist më shumë se vetë lojtarët.

Nuk është e largët dita kur ai u kthye në personazhin më të urryer të tifozëve shqiptarë pas vendimeve që penalizuan kombëtaren kuqezi në humbjen ndaj Izraelit. Penalltia dhe kartonët e kuq në dëm të Shqipërisë, e bënë Aytekin objekt të sharjeve dhe ofendimeve për javë me radhë pas përballjes së “Elbasan Arenës”.

Top Channel