NBA, fiton San Antonio, humb Cleveland

07/03/2017 00:00

San Antonio fiton derbin teksan me Houston në NBA. Në AT&T Center, skuadra e drejtuar nga Gregg Popovich e mbylli sfidën me rockets 112-110, ku ai që shkëlqeu ishte i zakonshmi Leonard.

Ky i fundit shënoi 39 pikë në këtë përballje duke regjistruar ndeshjen e 4 radhazi që e kaloj kuotën e 30 pikëve personale. Por momentet më të rëndësishme të tij ishin kur shënoi nga distanca për t’i dhënë avantazhin 110-108 San Antonios dhe bllokimi ndaj Harden në aksionin pasardhës. Edhe vetë Harden shënoi 39 pikë në këtë ndeshje, por kjo nuk e ndihmoi Houston të pengojë San Antonion të regjistrojë fitoren e 8 radhazi.

Surpriza e mbrëmjes ndodhi në Quicken Loans Arena të Ohios ku Cleveland pësoi disfatë kundrejt Miamit me rezultatin 98-106. Lebron James shënoi 30 pikë e Kyrie Irving 32, por këto statistika nuk i mjaftuan skuadrës kampione në fuqi për të kaluar Miamin që në këtë sfidë i besoi Ellington, Dragic dhe Waiters.

Fitore shënoi dhe Golden State që mposhti Atlanta-n 119-111 edhe pse në parket mungonte Kevin Durant. Në ndeshjet e tjera të NBA, Denver fitoi me Sacramenton 108-96, Charlotte mundi Indianën 100-88, ndërsa Boston humbi ndaj LA Clippers 102-116.

Top Channel