Karnavalet në Brazil, fiton Portela

02/03/2017 00:00

Shkolla më e vjetër e sambës në Rio de Zhaneiro, Portela, u kurorëzua si fituesja e paradës së karnavaleve pas tre vitesh që dilte duarbosh nga kompeticioni.

Paneli i jurisë e vlerësoi me 269.9 pikë Portelën për performancën e saj që kishte si temë qendrore burimin e jetës, ujin, e u përqendrua tek efektet e shkatërrimit të një dige në ambient.

Portela është një prej shkollave më të vlerësuara të Sambës, me më shumë se 21 tituj. Por, pas humbjes përballë pretendentëve të rinj vitet e fundit, shkolla nuk mund të mos ishte e lumtur për rikthimin në majë.

“Është e mrekullueshme dhe kam mbetur pa fjalë. Punuam të gjithë me përkushtim dhe dashuri dhe falë Zotit shkoi gjithçka mirë”, thotë një prej pjesëtareve të shkollës.

Fituesi i paradës së shkollave të sambës shpallet tradicionalisht të mërkurën e përhime, e kremtuar pjesërisht në Brazil. Shumë banorë të Rios nuk shkojnë në punë për të parë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Qyteti vazhdon të gëlojë nga qindra mijëra turistë që mbërritën në këtë vend për të ndjekur karnavalet më të famshme në botë.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel