Derbi B, Tirana shkatërron Partizanin

28/02/2017 00:00

Nuk ndodh prej 3 vitesh që Tirana të mund Partizanin në Superiore, megjithatë bardheblutë e versioni B, kanë arritur të shkatërrojnë 2-7 Partizanin B në ndeshjen e zhvilluar në Pezë.

Nuk ka patur shumë histori kjo përballje, e cila u mbyll që në pjesën e parë kur skuadra e Tiranës B e drejtuar nga Migen Memelli dhe e përforcuar me 3 lojtarë të skuadrës A shkoi në pushim me 3 gola të shënuar nga Macaj, Deliaj dhe Jasa.

Partizanin nuk e ndihmuan dot 4 përforcimet e marra nga ekipi A. Pjesa e dytë fillon me të njëjtin ritëm, me Tiranë që shfrytëzoi gjendjen më të mirë si psikologjike edhe  tekniko-taktike.

Qilimi shënoi dy gola të tjera, ndërsa Joti dhe Memoli realizuan nga një gol në minutat shtesë. Për Partizanin, si ngushëllim ishin dy golat e shënuar në pjesën e dytë nga Jaupaj dhe Hoxha. Ky është i vetmi moment pozitiv pas shumë kohësh për tifozët e pakët, por edhe për presidentin bardheblu Refik Halili, i cili pas rezultateve të ekipit të parë që ndodhet në një situatë pragkrize, ka mundur t’i gëzohet derbit të vogël.

Ndërkohë që trajneri i Partizani B, Genci Mahmutaj pas kësaj humbjeje të thellë për shumë kohë mbeti në pankinë, i pamundur që t’i japë një shpjegim disfatës.

Top Channel