Moda gjatë çmimeve “Oscar”

27/02/2017 00:00

Ka fitues në sallë por ka fitues edhe në tapetin e kuq. Spektakli më i madh i ndarjes së çmimeve kinematografike rrëmbeu vëmendjen së pari për vlerësimin e bërë më të mirëve në këtë industri, e pas kësaj edhe për veshjet, stilimin e flokëve apo bizhutë e mbajtura nga yjet.

Shkëlqimi ishte kryefjala në sezonin e teminave dhe metalikes. Dakota Johnson ishte verbuese me fustanin e saj “Gucci”, aq sa fitoi dhe krahasimin me një statuetë “Oscar”. Stolitë ishin shenja dalluese që nuk mund të mungonte në fustanin e “Elie Saab”, mbajtur nga Janelle Monae.

Aktorja më e mirë e këtij viti, Emma Stone ia kishte besuar pamjen e saj “Givenchy Couture”, që ndërthuri në veshjen e 28-vjeçares elegancën, vezullimin dhe thjeshtësinë. Megjithatë, Kahlana Barflied Brown, redaktore mode në revistën “InStyle”, votën e saj ia jep Jessica Biel dhe firmës “Kaufman Franco”.

“Mendoj se pamja e Jessica Biel ishte e jashtëzakonshme. Ajo dukej pothuajse si një hyjneshë greke. Kishte një fustan në ngjyrë të artë, ku ndërthureshin motive argjendi. Varësja ishte e jashtëzakonshme dhe flokët e kapur e të lëmuar i jepnin edhe më shumë sharm”, tha Kahlana Barflied Brown, redaktore mode.

Pasi pushtoi disa herë majën e listave për veshjet më të shëmtuara të sezonit, Nicole Kidman preferoi të mos rrezikonte natën e “Oscars”, por të ndiqte linjën e thjeshtësisë. Instikti i saj, këtë radhë nuk gaboi.

Octavia Spencer ishte e mrekullueshme me fustanin me pupla ngjyrë fildishi të “Marchesa”-s; vëmendje tërhoqi edhe Ruth Negga, e veshur me të kuqe nga “Valentino”, ndërsa “Twitter”-i u çmend për vëthet e Charlize Theronit.

Top Channel