Britani, deportohet pas 27 vitesh martesë

27/02/2017 00:00

Deportimet nga Shtetet e Bashkuara, për të cilat fajësohet vetëm presidenti Donald Trump, kanë marrë vëmendjen globale. Por kjo nuk do të thotë se këto procedura janë ndalur në vende të tjera, e dramat që shkaktojnë nuk janë më të vogla.

Një grua e martuar prej 27 vitesh me një shtetas britanik u dëbua forcërisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe u rikthye në Singapor.

Irene Clennell mbahej prej javësh në një qendër ndalimi skoceze dhe pa asnjë paralajmërim u deportua në vendin e origjinës. Ajo jetonte në afërsi të Durhamit me bashkëshortin e saj, me të cilin ka dy djem, si dhe një mbesë në Angli.

Ministria e Brendshme britanike nuk komenton për raste individuale, përfshirë atë të Clennell, por sipas medieve britanike duket se periudhat që ajo ka kaluar në Singapor duke u kujdesur për prindërit kanë anuluar statusin e saj rezidencial.

Në një intervistë për BBC-në, ajo tha se autoritetet e ndaluan që në fillim të shkurtit. Ajo shtoi se nuk kishte mundur të kontaktonte me avokatin, madje nuk ishte lejuar të merrte as rroba nga shtëpia.

Tashmë që ajo gjendet në Singapor, duket e pritshme beteja ligjore për ta kthyer në Britani te familja e  saj. Organizata bamirëse “Zëri i migrantëve” tha se do të nisë një fushatë në ndihmë të Clennell, ndërsa theksoi se rasti i saj është një tjetër shembull, sesi politikat arbitrare ndajnë familje dhe shkatërrojnë jetë.

Top Channel