Trump braktiset nga një tjetër i nominuar

27/02/2017 00:00

I përzgjedhuri i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Marinës ka tërhequr kandidaturën gjatë së dielës, duke shënuar kështu të dytën herë që një i nominuar për të udhëhequr një prej shërbimeve të forcave të armatosura të largohet, për shkak të rregullave qeveritare të konfliktit të interesit.

Muajin e kaluar, Trump zgjodhi Philip Bilden, një ekzekutiv i kapitalit privat dhe ish-oficer i shërbimeve ushtarake të kundërzbulimit, për të drejtuar Marinën amerikane, të cilën presidenti është angazhuar ta fuqizojë dhe zgjerojë më tej.

Në një deklaratë të së dielës, Bilden tha se “pas një procesi të gjerë rishikimi, kam dalë në konkluzionin se unë nuk mund të përmbush kërkesat e Zyrës së Etikës qeveritare, pa ndërprerjen e paarsyeshme dhe pa daljen kundër interesave financiare private të familjes sime”.

Zhvilimi në fjalë e lë Trumpin dhe Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, pa kandidatura për të udhëhequr Ushtrinë dhe Marinën.

Vincent Viola, të cilin presidenti e kishte përzgjedhur për postin e Sekretarit të Ushtrisë, u tërhoq më herët gjatë këtij muaji. Përmes një deklarate, Mattis tha se ishte i zhgënjyer, por se e kuptonte vendimin e Bilden.

“Në ditët e ardhshme do të bëj një rekomandim për presidentin Trump, për një udhëheqës i cili të mund të drejtojë Marinën dhe ekipin e Korpusit Detar, teksa vazhdojmë të ekzekutojmë vizionin e presidentit për të rindërtuar ushtrinë tonë”, tha ai.

Top Channel