Arkeologji dhe beton, debati për “Velierën”

23/02/2017 00:00

Kamera e TCH ka qenë pranë strukturës së godinës së administratës osmane të shfaqur në vitin 1876. Po vlerësohet nëse ka faza më të hershme ndërtimore me funksion të ndryshëm. E bashkë me këto mure është edhe prania e dy topave, njëri prej të cilëve dyshekullor.

Atje, arkeologët çdo ditë po gjejnë të reja, sesi është kjo shtresë e bregdetit të vjetër.

“Ne duhet të presim mbylljen e procesit të gërmimit dhe të dokumentizimit përfundimtar. Fakti që u mundësua zbulimi i kësaj strukture është pozitiv”, thotë Prof. As. Eduard Shehi, arkeolog.

Për Bashkinë e Durrësit, projekti “Veliera” është i një rëndësie të veçantë për turizmin dhe një simbol modern i qytetit.

“Ne kërkojmë të zhvillojmë qytetin dhe qyteti zhvillohet në këtë territor që ka. Puna e betonizimit duhet ndarë, sepse po e përdorin pa kriter edhe njerëz që nuk janë kompetentë për këtë punë. Ndërtimi i shërben komunitetit”, thotë Adhurim Qehajaj, drejtor i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.

“T’i vesh përballë një kompleksi koleksioni të klasit të parë të rrafshit europian, siç janë kullat dhe muret bizantine, si dhe kulla veneciane, një vepër pa kuptim prish imazhin. Prish atë që quhet kujtesa dhe ana memorialistike e qytetit të Durrësit”, thotë studiuesi Moikom Zeqo.

Por nga instancat, “Veliera” do të rivitalizojë këtë zonë.

“Për këtë është bërë një proces publik, përpara se profesionistët e kësaj pune të japin gjykimin, pa pasur ndërhyrje nga presionet që po i bëhen. Pjesa e velës është në ngritje në të katër cepat, pikërisht për të evidentuar konturin. Nëse do të ishte e drejtë e priste torrën”, thotë më tej Adhurim Qehajaj.

“Këta që kanë konceptuar harxhimin patjetër të 6 milionë eurove për të bërë këto pseudovepra arti, do të ngulin këmbë që kanë të drejtë. Do të blejnë edhe arkeologët”, thotë studiuesi Moikom Zeqo.

Top Channel