Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç ka deklaruar se vendi i tij ka marrë garanci se Senati amerikan do ta ratifikojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Sipas shefit të diplomacisë, Mali i Zi pret të bëhet anëtar i plotë i Aleancës në takimin e lartë të saj në fund të muajit maj.

Zoti Darmanoviç i kundërshtoi spekullimet se ratifikimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nga ana e Shteteve të Bashkuara mund të bjerë viktimë e një dëshire nga ana e administratës së re të presidentit Donald Trump për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Ai tha se oferta e Malit të Zi për t’u bashkuar me Aleancën rrjedh nga politikat e vendit dhe do të ndodhë pavarësisht kundërshtimit rus.

“Ne i kuptojmë edhe interesat ruse dhe kundërshtimin e tyre ndaj zgjerimit të NATO-s në vende të tjera, por ne kemi interesat tona kombëtare që nuk janë rezultat i ndonjë vendimi të papritur, por i qëllimeve tona afatgjata të përcaktuara në momentin e pavarësisë në deklaratën tonë të pavarësisë dhe më pas në kushtetutën tonë. Pra, jemi vetëm duke ndjekur atë që kemi vendosur shumë kohë më pare”, tha ministri i jashtëm.

Top Channel