Rrezikohet nga gjakmarrja, vrasësi nga Burreli sfidon ekstradimin

22/02/2017 00:00

Një shqiptar i gjymtuar u kap pas ligjeve të të drejtave të njeriut gjatë së martës, në përpjekjen e tij të fundit për të shmangur ekstradimin nga Britania e Madhe. Edhe pse me një kosto jo të vogël për taksapaguesit britanikë, 41-vjeçari Saliman Barçi kërkon të shmangë rikthimin në vendlindje, ku duhet të kryejë dënimin prej 25 vitesh burgim për dy vrasje të kryera.

Baba i tre fëmijëve, ai pretendon se do të vritej për shkak të gjakmarrjes nëse ekstradohet. Madje, ai thotë gjithashtu se do të vuante shumë edhe për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në burgjet shqiptare. Barçi ka humbur njërën këmbë gjatë një aksidenti me motor.

Zyrtarët konfirmuan majin e kaluar se atij i ishte ofruar ndihmë ligjore për të shmangur ekstradimin. Avokati i tij refuzoi të konfirmonte nëse ishin pikërisht taksapaguesit që financonin përpjekjen e tij për të qëndruar në Britani, por kostoja e përllogaritur e kësaj çështjeje gjyqësore shkon rreth 100 mijë paund.

Gjykatës i është bërë e ditur se Barçi ka mashtruar qëllimisht autoritetet britanike të Emigracionit me një emër dhe një pasaportë të rreme, pasi qëlloi për vdekje dy persona në Shqipëri në vitin 1997.

Duke u shtirur si një azilkërkues nga Kosova, ai mundi të hynte në Britani teksa ishte në arrati dhe jetoi në ishull duke siguruar edhe përfitimet sociale për 14 vite, përpara se të mësohej realisht identiteti i tij. Në atë kohë, atij i është dhënë edhe nënshtetësia britanike. Në korrik, dy muaj pasi një investigim i “Daily Mail” kishte ekspozuar rastin, një gjykatë rajonale vendosi ta ekstradonte atë.

Por Barçi, i cili jeton në Northolt të Londrës Perëndimore, e apeloi ditën e martë në Gjykatën e Apelit vendimin e parë të gjyqësorit. Vrasësi i dënuar, që aktualisht ndodhet në paraburgim, nuk u paraqit në gjyq, ndërsa avokati i tij mbrojtës Ben Cooper pretendoi se ekstradimi i tij në Shqipëri do të shkelte 3 nene të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut: e drejta për të jetuar, ndalimi i torturës dhe një gjykim i drejtë. Sipas tij, sistemi gjyqësor shqiptar ishte “i njollosur nga korrupsioni endemik dhe i vazhdueshëm”.

Cooper, një ekspert për çështjet e ekstradimit dhe të të drejtave të njeriut, tha se gjykatësit që shpallën Barçin fajtor në mungesë për vrasje ishin “implikuar në afera korruptive”. Gjykatës së Apelit iu kërkua anulimi i ekstradimit, për shkak të rrezikut real që i kanoset jetës së Barçit në Shqipëri, si pasojë e gjakmarrjes. Avokati mbrojtës tha se “ambienti i burgjeve shqiptare konsiderohet çnjerëzor dhe i degraduar. Qeli të ftohta, mungesa e ndriçimit dhe hapësira e pamjaftueshme ishin mes argumenteve të sjella nga avokati.

Gjithsesi, Daniel Sternberg, në emër të Republikës së Shqipërisë që e ka sfiduar apelimin e tij, deklaroi se rigjykimi i Barçit do të zhvillohet në Gjykatën shqiptare të Apelit, e jo nga gjykatësit që e kanë shqyrtuar më herët çështjen ndaj tij. Sipas tij, “nuk ka asnjë akuzë të provuar apo akuzë aktuale korrupsioni ndaj gjykatësve në fjalë”, tha ai.

Barçi akuzohet se ka vrarë dy persona në qytetin e Burrelit. Ai u arratis nga vendi pas vrasjeve, por është dënuar në mungesë me 25 vite heqje lirie në vitin 2009. Ai u arrestua në korrik të vitit 2015.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel