Laçi frenon Kukësin, barazim me vlera për kurbinasit

20/02/2017 00:00

Kryesimi i Kukësit në Kategorinë Superiore pas javës së 22-të është reduktuar në vetëm dy pikë, pas ndalesës së skuadrës verilindore në transfertën ndaj Laçit.

Formacioni pretendent për titull i trajnerit Ernest Gjoka ndien tani dihatjen e Skënderbeut më pranë se më parë, pas barazimit pa gola në Kurbin ndaj vendasve.

Sfida nisi e ekuilibruar, madje në minutën e 7, një goditje e Mensah mund t’i kishte sjellë avantazhin laçianëve, nëse fati nuk do të ishte kundër kurbinasve, me sferën që u ndal në traversë.

Dvornekoviç, Emini dhe Pejiç tentuan që t’i jepnin epërsinë Kukësit, por aksionet e miqve u ndalën pa krijuar rrezik të madh, ndërsa sfida u mbyll me rrjeta të paprekura.

Kukësi kryeson tashmë me 46 pikë, dy më shumë se Skënderbeu. Ndërkohë, Laçi braktis vendin e parafundit dhe merr një pikë të vyer në luftën për mbijetesë.

Top Channel