Stuhia në Kaliforni, 4 viktima, qindra të evakuuar

18/02/2017 00:00

Kalifornia po përballet me një prej stuhive më të fuqishme të viteve të fundit. Katër viktima, shira të dendur, përmbytje masive, 150 mijë banesa pa energji, e gropa që kanë përpirë makinat nëpër rrugë; është ky bilanci i deritanishëm i asaj që jo më kot është pagëzuar si “Bomba e motit”.

Qindra banesa u evakuuan mes frikës se rrëshqitjeve të dheut pranë Los Angelesit. Mbi 300 fluturime u pezulluan në aeroportin ndërkombëtar të këtij qyteti dhe rrugët kryesore u mbyllen. Një burrë humbi jetën pas rrëzimit të një pemë që shkaktoi rënien e një kabulli elektrik mbi makinën e tij në zonën e Oaks në Los Angeles. Një person i dytë u gjet i mbytur brenda automjetit të tij, ndërsa 2 të tjerë u vranë në aksidente rrugore të shkaktuara nga moti i keq në San Diego.

“Los Angeles Times” foli për skena surreale, me automjete të zhytura në ujë përgjatë autostradave. Departamenti zjarrëfikës njoftoi se kishte ndërhyrë për shpëtimin e të paktën 15 personave të bllokuar mes furisë së ujit. Zjarrëfikësit përdorën litarë dhe gomone për të nxjerrë nga uji 7 persona dhe 2 qen pranë lumit të Los Angelesit.

Urdhra evakuimi u lëshuan në qytetin e Duarte-s në këmbët e malit San Gabriel dhe në disa pjesë të kontesë Ventura, ku autoritetet trokitën derë më derë për të kërkuar largimin e detyrueshëm.

Atyre që nuk pranuan ju kërkua të hidhnin firmat. Meteorologët që flasin për një stuhi ekstra-tropikale me fuqi shkatërruese, paralajmërojnë se gjatë javës së ardhshme do të ketë reshje rekord shiu.

Top Channel