Mbrojtja e NATO-s, vendet aleate nuk plotësojnë detyrimin prej 2%

18/02/2017 00:00

Lista kryesohet nga Shtetet e Bashkuara, të cilat shpenzojnë 3.6 për qind të ekonomisë kombëtare për ushtrinë. Në vend të dytë, renditet Greqia.

Për shumëkënd mund të duket suprizë, por edhe pse në krizë të thellë ekonomike shpenzon 2.6 për qind të Prodhimit Kombëtare për mbrojtjen.

Shumica e vendeve anëtare të NATO-s, edhe ato të të fuqishme ekonomikisht, kanë një nivel shpenzimesh për mbrojtjen që varion nga 1 deri në 2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Këtu bëjnë pjesë Anglia, Italia, Gjermania dhe shumë vende të tjera.

Madje për disa vite me radhë, që nga antarësimi i saj në NATO në këtë grup ka bërë pjesë edhe Shqipëria, por në vitin 2017, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen janë ulur në 0.7 për qind.

Kjo e ka zbritur Shqipërinë në listën e vendeve që shpenzojnë më pak për mbrojtjen duke qenë shumë larg detyrimit të NATO-s. Në vlerë Shqipërisë i duhet të shpenzojë mbi 100 milionë euro shtesë çdo vit. Në pamje të parë duket se në një buxhet prej më shumë se 3 miliard eurosh, kjo shtesë nuk është një sakrificë e madhe.

Por në fakt 70 përqind e buxhetit është e paprekshme për shkak se shkon për shpenzime të domosdoshme, si rroga, pensione e kosto administrative. 100 milionëshi shtesë çdo vit, do të duhej të hiqej ose nga investimet, ose përmes borxhit nga qeveria ose rritjes së taksave.

Top Channel