Kanadezi qëllohet për vdekje në Egjipt mes tensioneve në rritje për luftën në Gaza (fotot)

08/05/2024 18:45
Gjiri i Aleksandrise ne Egjipt

Një kanadez “me prejardhje izraelite” është qëlluar për vdekje gjatë një grabitjeje në qytetin egjiptian të Aleksandrisë, ku autoritetet thanë se po hetojnë çështjen si incident kriminal.

Burime të sigurisë thanë për agjencinë Reuters se vrasja e burrit “kishte të bënte me grabitjen dhe jo me origjinën e tij etnike”.

Madje dhe ministria e brendshme konfirmonte ngjarjen duke thënë se viktima ishte rezident i përhershëm në Egjipt, pa dhënë të tjera detaje.

Por në rrjetet sociale vendase qarkullonte një deklaratë e një grupi të panjohur të quajtur “Liberation Vanguards” që merrte përgjegjësinë për “sulmin”, edhe pse organet e sigurisë thonin se nuk kishin dijeni për ekzistencën e grupit apo përfshirjen në incident.

Zhvillimi vjen një ditë pas nisjes së ofensivës së Ushtrisë izraelite në Rafah në jug të Gazës, ku po strehohen rreth një milionë palestinezë të zhvendosur, që kërkonin aty strehë nga ofensiva tashmë shtatë mujore e Izraelit në Gaza.

Që  prej nisjes së konfliktit brutal janë regjistruar disa krime kundër izraelitëve apo hebrejve në Egjiptin fqinjë.

Në tetor të vitit të shkuar dy turistë izraelitë dhe guida e tyre egjiptiane u qëlluan për vdekje në Aleksandri.

Për sulmin u fajësua një polic “jashtë kontrolli” që u arrestua pas incidentit.

FOTO GALERI
1/2
Zhvillimi vjen një ditë pas nisjes së ofensivës së Ushtrisë izraelite në Rafah në jug të Gazës, ku po strehohen rreth një milionë palestinezë të zhvendosur

Top Channel