Siguria monetare, Sejko pret krerët e Shoqatës së Bankave

15/02/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka thirrur në një takim të posaçëm drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Sipas njoftimit zyrtar, tema kryesore e takimit ka qenë siguria e aktivitetit të bankave, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit, ku persona të armatosur grabitën 3.2 milionë dollarë, para të një banke private gjatë transportit për në Rinas.

Që në fillim, Guvernatori dhe drejtuesit e Shoqatës së Bankave kanë përgëzuar njëzëri Policinë e Shtetit për zbardhjen e autorëve dhe ndalimin e tyre. Por Sejko u ka kërkuar bankave të rishikojnë masat e sigurisë, si dhe të forcojnë bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen

Veç çështjeve të sigurisë, në takim është diskutuar edhe për nxitjen e kreditimit të ekonomisë. Kreu i bankës qëndrore i ka kërkuar bankave private që të kreditojnë investimet potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Ndërkohë, një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ka qenë edhe ajo e kredive të këqija, të cilat sipas Bankës së Shqipërisë pritet të ulen më tej gjatë këtij viti.

Top Channel