Shën Valentini i 71-të së bashku

14/02/2017 00:00

John Mackay është sot 96 vjeç, ndërsa Edith Steiner 92. Ajo është një ish-e mbijetuar e Aushvicit, ai një ish-ushtar skocez që i shpëtoi asaj jetën, ndërsa vajza rrezikonte vdekjen.

Tani, të dy ata shijojnë 71 Shën Valentinët që kanë kaluar bashkë. John ishte një prej pjesëtarëve të ekipit “komando” që çliroi një grup të burgosurish hebrenj nga rojet e tyre nazistë në Poloni.

Fatkeqët mbaheshin në Aushvic në kohën kur “ëngjëlli i vdekjes”, Josef Mengele kryente atje eksperimentet e tij të tmerrshme. Mes turmës së të burgosurve ndodhej edhe Edithi 20-vjeçare.

Hungarezja me origjinë hebreje ishte aty bashkë me të ëmën, e vetmja pjesëtare e familjes që nuk ishte dërguar ende në dhomat e gazit. Ushtari i hijshëm skocez dhe kolegët e tij i shpëtuan të dyja ato dhe njerëzit e tjerë në kamp nga vdekja e sigurtë.

Por ai nuk e kishte parë vajzën bukuroshe deri në momentin që u festua çlirimi. Pati turp t’i afrohej, ndaj dërgoi një shok që ta ftonte në kërcim, por 20-vjeçarja këmbënguli që këtë gjest ta bënte ai vet, nëse do të gjente guximin.

Nga ai moment nisi një lidhje që do të kurorëzohej në martesë në vitin 1946. Për 7 dekada kanë qenë të pandashëm. Shën Valetintinin e tyre të 71-të, John dhe Edith vendosën ta kremtonin me një festë të madhe, edhe pse këmbëngulin se romanca në çift duhet të ekzistojë çdo ditë, e jo vetëm më 14 shkurt.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel