Anketa, serbët nuk do të luftonin për “rimarrjen” e Kosovës

13/02/2017 00:00

Një studim i kryer nga Qendra për Politikat e Sigurisë në Beograd përmes një ankete tregon se pjesa më e madhe e qytetarëve të Serbisë nuk do të luftonin sërish për ta kthyer Kosovën nën Serbi.

Sipas asaj që shkruajnë mediet serbe, në anketën në fjalë rreth 73 për qind e serbëve i janë përgjigjur me “Jo” mundësisë për t’u përfshirë sërish në konflikt të armatosur, në mënyrë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Vetëm 10 për qind e të anketuarve duket se janë të gatshëm për një gjë të tillë, ndërsa rreth 17 për qind, të cilët kanë zgjedhur alternativën “nuk e di”, duket se janë të pavendosur.

Studimi në fjalë tregon gjithashtu se shumica e votuesve nga partitë e krahut të djathtë, si “SRS” apo “Dveri” nuk do të jenë të gatshëm të rrokin armët për hir të të ashtuquajturës “provincë jugore e Serbisë”.

Ndër të anketuarit, ata të grupmoshës nga 18 deri në 29 vjeç duken disi më agresivë, pasi rreth 15 për qind e tyre shprehen të gatshëm për të shkuar në luftë për hir të Kosovës.

Top Channel