Zelandë e Re, qindra balena ngecin në breg. Shumë ngordhin

10/02/2017 00:00

Ekipet e shpëtimit dhe vullnetarë të shumtë po garojnë kundër kohës për të shpëtuar me qindra balena “pilot” që kanë ngecur në “Golden Bay” në Zelandën e Re.

Autoritetet neozelandeze thanë se bëhet fjalë për një nga ngecjet më maisve të balenave në historinë e vendit. Mësohet se rreth 300 balena kanë ngordhur dhe vullnetarët po përpiqen të kthejnë në det më shumë se 100 të tjera.

Balenat dolën në breg mbrëmjen e së enjtes, por autoritetet nuk lejuan vullnetarët që të ndërhynin gjatë natës, pasi druheshin se shumë njerëz mund të lëndoheshin në errësirë mes balenave.

Mediet lokale raportuan se ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët mundën që të kthejnë në det disa dhjetëra balena të premten gjatë baticës, por shumë prej tyre ridolën në breg në zbaticën që pasoi.

Zyrtarë të Departamentit të Ambientit thanë se, kjo është ngjarja më e rëndë e këtij lloji që prej vitit 1985, kur mbi 450 balena ngecën në breg në Auckland.

Ngecja e balenave në breg është një fenomen që ndodh në të gjithë botën dhe, ndërsa janë ujërat e cekta që e vështirësojnë kthimin e tyre në thellësi, mbetet mister se çfarë i shtyn balenat drejt bregut.

Top Channel