Policia në grevë, krimi sundon në disa qytete të Espirito Santos

10/02/2017 00:00

Më shumë se 100 persona janë vrarë në shtetin brazilian Espirito Santo gjatë javës së fundit, ku rendi dhe ligji thuasje nuk ekzistojnë më, pas grevës së policisë që ka hyrë në ditën e saj të shtatë.

Kaos, përleshje, plaçkitje, vrasje dhe dhunë janë fjalët e ditës në qytetet e këtij shteti, fenomene që nuk kanë kursyer edhe kryeqytetin Vitoria. Për shkak të situatës së rrezikshme, autoritetet janë detyruar që të mbyllin shkollat, zyrat publike dhe një pjesë të mirë të qendrave shëndetësore, shembull që është ndjekur edhe nga shumë biznese private, duke bërë që zor të gjendet një dyqan i hapur.

Greva nisi pasi policia ushtarake kërkoi paga më të larta dhe pagesë për orët jashtë orarit, kërkesa që nuk u pranuan nga autoritetet. Policia ushtarake është organizmi kryesor që përgjigjet për rendin në Brazil, por në Espirito Santo, atyre u janë bashkuar edhe policia civile.

Për shkak të statusit të tyre si ushtarakë, ata s’mund të organizojnë protesta, por të afërmit e tyre janë dyndur para rajoneve të policisë. Të gjendur në vështirësi, autoritetet në Espirito Santo kërkuan ndihmën e ushtrisë, e cila ka dërguar mbi 3.000 trupa që të patrullojnë rrugët. Por kjo masë nuk ka sjellë rend, përkundrazi, më shumë kaos.

Espirito Santo ishte një zonë relativisht e qetë e Brazilit dhe me vetëm 4 vrasje në janar. Por që prej nisjes së grevës së policisë, ky numër ka shkuar në 18 në ditë.

Top Channel