Minatorët e zhdukur, vazhdon kërkimi

09/02/2017 00:00

Në minierën e kromit në Bulqizë vazhdojnë përpjekjet për të gjetur 3 minatorët e bllokuar në nëntokë që prej së shtunës. Duke folur nga hyrja e minierës, së bashku me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë tha se ekipet e avari-shpëtimit po përpiqen sërish të shkojnë në nivelin 21 të minierës, ku që prej mëngjesit është vënë në funksion një sistem i ri ajrimi.

“Kur futëm 4 shpëtues, në nivelin 19 u konstatua një përqindje e lartë e gazit të hidrogjenit. Për këtë arsye, i ngritëm menjëherë punëtorët në nivelin 14”, deklaroi zv/ministri Gëzim Musabelliu.

Pas dështimit të përpjekjes së radhës për të hyrë në nivelin 21, ekipet punuan gjatë natës për të vendosur pajisje shtesë për të siguruar një sistem të ri ajrimi. Kjo ka zgjuar shpresat për të depërtuar në nivelin ku janë bllokuar minatorët.

Ambasadorja kineze tha se përpjekjet kanë qenë të shumta dhe se ka ende shpresë. “Detyra kryesore është garantimi i jetës së njerëzve. Duke garantuar jetën e tyre, do të bëjmë të pamundurën për shpëtimin. Jam shumë e prekur, por dua të them që ka një fije shprese që ata të kenë mbijetuar, që të ketë ndodhur një mrekulli”, tha ambasadorja Jiang Yu.

Shpërthimi i papritur i hidrogjenit të shtunën plagosi edhe 3 punonjës të tjerë të kompanisë kineze Xiang Enginering”, e nënkontraktuar nga kompania “Alb Chrome”.

Top Channel