Vritet terroristi i ISIS, Ridvan Haqifi kërcënoi se ditë të zeza do vinin

09/02/2017 00:00

Familja e Ridvan Haqifit ka hapur dyert e mortit për të riun nga Gjilani që luftonte në krah të ISIS-it në Siri e Irak.

Lajmi i vdekjes së tij u përcoll një ditë më parë nga mediat në Kosovë e Shqipëri, por hezitimin për ta besuar plotësisht e fashit njoftimi i të afërmve të tij. Haqifi, i njohur ndryshe edhe si Al-Kosovi është njeriu që bëri bujë me paralajmërimet e tij se për shqiptarët, do të vijnë ditë të zeza.

Në fund megjithatë, shkruajnë mediat në Kosovë, ditët e zeza erdhën vetëm për të. Lajmin e vdekjes së Haqifit e pohoi edhe Bashkësia Islame në Gjilan dhe Policia. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk komentoi më gjatë mbi rastin e 27-vjeçarit që qershorin e 2015-s kërcënoi me luftë në Ballkan në emër të hakmarrjes “ndaj atyre që sipas tij kishin poshtëruar myslimanët” në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, e vende të tjera.

“Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve. Vallahi do të keni frikë të ecni nëpër rrugë…. do të keni frikë të punoni nëpër zyrat e juaja; do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në shtëpitë e juaja”, tha në videon e publikuar kohë më parë Ridvan Haqifi.

Ai ishte bashkuar me miliantët e grupit të dhunshëm xhihadist në Siri e Irak që prej korrikut të vitit 2014. Familjes i kishte thënë se po shkonte në Egjipt për studime fetare. Ai pat zëvendësuar të shumëkërkuarin Lavdrim Muhaxherin si komandant i shqiptarëve në organizatën terroriste. Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Rreth 120 syresh janë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer. Mbi 40 veta janë dënuar deri tani për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare tregojnë se në Lindjen e Mesme ndodhen ende 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Top Channel