Sherr me pronarin e skuadrës, arrestohet ish-legjenda e basketbollit (Video)

09/02/2017 00:00

Kampionati amerikan i basketbollit nuk është asnjëherë i mërzitshëm dhe jo vetëm falë spektaklit që japin skuadrat në parket, por edhe për histori të tjera që nuk kanë shumë lidhje me sportin, siç është rasti i ngjarjes në “Madison Square Garden”, në përballjen mes New York Knicks dhe LA Clippers.

Sfida filloi me arrestimin e Charles Oakley, të kryer në transmetim direkt. Idhulli i njujorkezëve në vitet ‘90 u largua nga pronari i skuadrës, Dolan dhe kjo bëri që ai të reagojë ashpër, duke sulmuar punonjësit e sigurisë. Ishin 7 persona që në fund arritën ta mbërthejnë me forcë Oakley-n, për ta dorëzuar te forcat e policisë.

Ndeshja u pezullua për disa minuta, deri në momentin e qetësimit të situatës. Më pas, në parket u fol gjuha e basketbollit. Fituesja e sfidës ishte skuadra e LA Clippers me rezultatin 119-115, ku për kalifornianët ai që spikati ishte Balake Griffin me 32 pikë, ndërkohë që në krahun tjetër më i miri ishte Carmelo Anthony me 28 pikë, statistika që nuk e ndihmuan aspak skuadrën e Knicks.

Cleveland Cavaliers mori një fitore me përmbysje ndaj Indiana Pacers, duke ndërprerë serinë e 7 fitoreve radhazi të Pacers. 132-117 ishte rezultati i kësaj sfide, ku për kampionët e NBA shënuesi më i mirë ishte Kyrie Irving me 29 pikë, ndërsa LeBron James u ndal në kuotën e 25 pikëve.

Shumë e lehtë ishte sfida për Golden State Warriors, që dominoi mbi Chicago Bulls në “Oracle Arena”, duke e mundur 123-92. Durant me 22 pikë dhe Klay Thompson me 28 ishin ata që e drejtuan Golden State drejt suksesit të 44 sezonal. 

San Antonio Spurs pushtoi Philadelphia 76ers duke fituar ndeshjen ndaj me rezultatin 111-106. Ai që shkëlqeu në fushën e lojës për San Antonio ishte i zakonshmi Leonard, autor i 32 pikëve personale.

Top Channel