“Arsimi profesional” shtyhet për seancën e radhës

09/02/2017 00:00

Projektligji për arsimin profesional do të shqyrtohet në seancën e radhës parlamentare, pasi opozita, njësoj si Lëvizja Socialiste për Integrim më herët kanë kërkuar rishqyrtimin e tij në Komisionin e Medias, përpara se të kalojë për miratim në Parlament.

“Ky ligj që kërkohet të futet në rendin e ditës, deri dje ka qenë i padiskutuar nen për nen në komision. kërkuam ardhjen e grupeve të interesit për të bërë ndërhyrjen e nevojshme në projektligj”, deklaroi deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Sakaq, nënkryetari i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi pranoi kërkesën e opozitës për shtyrjen e miratimit në seancën e ardhshme, por kurrsesi të rikthimit të projektligjit në Komisionin e Medias, pasi ai është miratuar në parim nga komisioni përgjegjës.

“Pse nuk e kanë shfrytëzuar kohën për ta shqyrtuar, pasi ky projektligj ka 3 muaj që është në programin e Parlamentit. Keni ndonjë qëllim dashakeqës për ta zvarritur? Këta zotërinj, megjithëse prej 3 javësh ka qenë në rendin e ditës, vetëm të martën e fundit janë mbledhur. Pra, duket tendenca e tyre. Ç’keni bërë 3 muaj? Pse nuk i dëgjuat grupet e interesit? Këtu kemi mosushtrim të së drejtës së dhënies së mendimit nga ana e këtij komisioni”, u shpreh Ruçi.

Si LSI edhe opozita pretendojnë se propozimi për ngritjen e dy agjencive, të punësimit dhe të akredimit, është abuziv dhe se nuk kanë asnjë dijeni për mënyrën sesi janë konceptuar.

Top Channel