Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e Shkëlqim Selamit për mandatin

09/02/2017 00:00

Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi kërkesë-padinë e ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami.

Që prej fillimit të janarit ish-deputeti kërkoi shfuqizimin e vendimit të KQZ dhe rikthimin e mandatit të deputetit. Por, gjykata e çmoi si të pabazuar në prova këtë kërkesë, thanë burimet e Top Channel , ndërsa më herët administrativja kishte rrëzuar edhe një kërkesë tjetër paraprake të sigurimit të padisë pasi siç Gjykata Administrative argumentoi fakti i zëvendësimit të deputetit me një deputet tjetër kishte ndodhur.

Vetë deputeti Selami ka reaguar ndaj vendimit nëpërmjet një statusi në Facebook. “Nëse ka një gjë në këtë akuzë, është se nuk ka asgjë dhe prandaj qesh me fatkeqëinë e tyre që mendojnë të më bëjnë pis me lummin e tyre”, thotë Selami. Ai shprehet i vendosur që beteja e tij do të vazhdojë deri në arritjen e drejtësisë.

Të premten, Gjykata Administrative do të shqyrtojë edhe kërkesën e ish-deputetit Dashamir Tahiri, i cili ka të njëjtën kërkesë në gjykatë.

Në fundt të muajit dhjetor për të dy ish-deputetët,  Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve heqjen e mandatit,  pasi sipas ligjit të dekriminalizimit, ata nuk kishin treguar në formularët e deklarimit mbi problemet me drejtësinë që kanë pasur në Itali.

Top Channel