PD: Edi Rama, 6 miliardë e 700 milionë për deputetin Qefalia

08/02/2017 11:30

Partia Demokratike, nëpërmjet Grida Dumës, ka deklaruar se “pasi Edi Rama erdhi në pushtet, rezulton se deputetit të tij Qefalia i ka ndritur fati, dhe ka marrë 6 miliardë e 700 milionë lekë tendera në 3 vite”.

“Edi Rama kujdeset vetëm për miqtë dhe klientët. Ja një shembull tipik se si përfitojnë njerëzit e tij nga paratë e shqiptarëve. Firma e deputetit socialist, Qefalia, ka pasur një aktivitet modest, dhe në vitin 2013 s’ka marrë asnjë lek nga shteti. Por, pasi Edi Rama erdhi në pushtet, rezulton se deputetit të tij Qefalia i ka ndritur fati, dhe ka marrë 6 miliardë e 700 milionë lekë tendera në 3 vite. Njësoj si me raste të tjera, si përshembull rasti i Sadriut, Qefalia fshihet pas emrit të nipave të tij”, u shpreh Duma.

“Kemi dokumentacionin e plotë se si firma kalon në emër të nipave, sa për formalitet. Të gjithë e dinë, se në të vërtetë është deputeti dhe vëllezërit e tij që po ndajnë llokmat e mëdha të buxhetit. Kjo pra është arsyeja pse populli zhytet në varfëri, dhe s’ka para për shkolla, për ngrohje, për ilaçe, për hallet e njerëzve. Sepse paratë janë për miqtë dhe klientët e Edi Ramës. Ky pra është shteti i Edi Ramës, një ndërmarrje private që ndan pasurinë mes një grushti njerëzish. Më 18 shkurt ne ngrihemi bashkë, dhe e ndalim këtë korrupsion, i ndalim zhvatësit. Do të hapim rrugën që qytetarët të zgjedhin të lirë, të zgjedhin qeverinë për njerëzit, qeverinë e tyre”, shtoi Duma.

Top Channel