Kolumbi, pas “FARC” nisin bisedimet për paqe edhe me “ELN”

08/02/2017 00:00

Duke ndjekur shembullin e “FARC”-ut, grupimi i dytë rebel në Kolumbi “ELN” ka nisur negociatat për paqe me qeverinë, për t’i dhënë fund më shumë se 5 dekadave konflikt.

Bisedimet nisën me një ceremoni në kryeqytetin e Ekuadorit, Kuito. Shefi negociator i “ELN”, Pablo Beltran u bëri thirrje palëve që të bashkohen rreth pikave të përbashkëta dhe të mënjanojnë diferencat.

Sipas Beltran, paqja nuk mund të arrihet me dhunë dhe shtypje. Ai tha se duhet një zgjidhje politike, ndërsa shtoi se “ELN” është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë për gabimet që ka bërë, nëse edhe pala tjetër bën të njëjtën gjë.

Përfaqësuesi i qeverisë në bisedime, Juan Camilo Restrepo tha se do të merret shembulli i negociatave me “FARC”, për të arritur një marrëveshje paqeje edhe me “ELN”.

Ai shtoi se Kolumbia dhe bota e dinë shumë mirë se një mundësi e tillë për paqen, zor se do të paraqitet më, nëse tani palët e injorojnë. Ai i bëri thirrje “ELN” që të mos kryejë asnjë rrëmbim gjatë negociatave, pasi dihet që haraçet për lirimin e pengjeve janë aktiviteti kryesor që financon këtë grup rebel.

Për të treguar vullnetin e mirë për paqen, grupi rebel “ELN” liroi dy pengje, një politikan dhe një ushtar, një ditë para nisjes së negociatave. Këto të fundit organizohen nga Ekuadori, ndërsa Brazili, Kili, Kuba, Norvegjia dhe Venezuela janë garantuesit e saj.

Top Channel