Amnesty International: Ekzekutime në masë në burgjet siriane

07/02/2017 00:00

Rreth 13 mijë persona, shumica e të cilëve civilë mbështetës të opozitës, janë ekzekutuar në mënyrë të fshehtë në një burg të Sirisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Amnesty International në një raport të ri që flet për varje në masë, të kryera çdo javë në burgun Sajdnaja, në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2015.

Amnesty deklaron se, ekzekutimet, për momentin të dyshuara, janë autorizuar nga nivelet më të larta të qeverisë siriane. Kjo e fundit ka mohuar disa herë në të kaluarën vrasjet ose keqtrajtimet e të burgosurve.

Sidoqoftë, ekspertët e OKB për të drejtat e njeriut deklaruan një vit më parë se dëshmitarë dhe prova të dokumentuara sugjeronin për dhjetëra mijëra persona që mbahen të burgosur dhe për vdekje masive në radhët e tyre.

Amnesty International mori në pyetje 84 persona, përfshirë ish-gardianë, të burgosur dhe zyrtarë të burgut Sajdnaja për të hartuar raportin e saj.

Në të thuhet se çdo javë dhe shpesh herë dy herë në javë, grupe prej 20 ose 50 personash ekzekutoheshin në strukturën e vuajtjes së dënimit në veri të Damaskut.

Top Channel