Kryediplomati Tillerson: Bindjet personale të mos pengojnë punën e DASH

03/02/2017 00:00

Sekretari i ri i Shtetit, Rex Tillerson u tha këtë të premte punonjësve të Departamentit amerikan të Shtetit se diplomatët duhet të lejohen të shprehim mendimet e tyre politike, por shtoi më tej se këto bindje personale nuk duhet të pengojnë aftësinë për të punuar në grup.

Këtë javë, rreth 1.000 zyrtarë të DASH nënshkruan një memo, ku shprehin kundërshtimin ndaj urdhrit të Presidentit Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e njerëzve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Kryediplomati Tillerson u tha punonjësve se do të përqafojë disa “parime bazë” të llogaridhënies, ndershmërisë dhe respektit, për të garantuar se Departamenti i Shtetit do të funksionojë “në mënyrën më produktive dhe më të efektshme të mundshme”.

Në postin e ri, Tillerson do të përballet me një numër sfidash globale që i trashëgon nga administrata e kaluar, si lufta civile në Siri, rritja e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut, si dhe shtimi i agresivitetit të Kinës dhe Rusisë.

Senati amerikan konfirmoi të mërkurën Tillersonin, ish-kreun dhe shefin ekzekutiv të gjigantit të naftës dhe gazit, “Exxon Mobil”. Si kryediplomat, Tillerson do të përballet gjithashtu edhe me disa çështje aktuale të politikës së jashtme, përfshi këtu tensionet në rritje me Meksikën mbi financimin e murit kufitar, si dhe vendosjen e ndalimit për 4 muaj të hyrjes së refugjatëve në SHBA.

Top Channel