Hetimi i CEZ, Bozdo: Marrëveshja e gabuar, kontesti në favorin tonë

03/02/2017 00:00

Ish-zëvendësministri i Energjisë në qeverinë Berisha, Enno Bozdo deklaroi përpara komisionit hetimor parlamentar të CEZ se, marrëvjeshja e arritur nga qeveria Rama për rrimarjen e aksioneve nga kompania çeke nuk ka qenë e duhura.

Bozdo, i cili ka qenë pjesë e grupit negociator për zgjidhjen e kontestit me CEZ deri në verën e vitit 2013, tha se detyrimet e kompanisë ndaj shtetit shqiptar arrinin shuma të mëdha.

“Në dijeninë time, borxhet e akumuluara, të njohura nga të dyja palët, lëviznin nga 550 deri në 600 milion euro, që CEZ i kishte sistemit”, deklaroi Bozdo.

Bozdo shtoi se çekët shkelën kontratën e privatizimit dhe shanset për të fituar në arbitrazh qenë të mëdha.

Ai tha se, në fund të vitit 2012 ishte vetë CEZ që pranoi se nuk operonte dot në Shqipëri dhe se marrja në administrim nuk ishte sekuestrim, por veprim ligjor i ardhur pas një vendimi gjykate, në kushtet kur u cënua siguria kombëtare me ndërprerjen e energjisë për ujësjellësat dhe spitalet.

Anëtari tjetër i grupit negociator deri në shtator të 2013-s, ish-zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj zbuloi se gjatë bisedimeve me çekët në Vjenë ka pasur insinuata për presione nga CEZ ndaj Shqipërisë gjatë vit elektoral.

“Nuk tha njeri që do rrëzojmë qeverinë, por ishin të qarta insinuata për ndërhyrje, me aq sa mund të ndërhyhej, për t’i bërë presion qeverisë shqiptare. Këto janë të qarta e të evidentuara edhe në letrën që avokati i ka drejtuar CEZ-it”, tha Rrushaj.

Ndërsa administratori publik i emëruar nga ERE në janar 2013, Sahit Dollapi  deklaroi se mori në dorëzim një kompani me tregues mjaft të përkeqësuar, në borxhe dhe në një situatë të rënduar të furnizimit me energji.

Top Channel