Përurohet këndi i tetë i lojërave, Veliaj: Edhe 2017 për fëmijët

02/02/2017 00:00

Edhe ky vit do i kushtohet ndërtimit të shesheve sportive dhe këndeve të lojërave. Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qënë në përurimin e këndit të tetë të lojërave, në njësinë nr. 7.

“E mbaj mend ditën e parë kur erdhëm këtu, kishte shumë dyshime, skepticizëm dhe disa njerëz thoshin me të drejtë: kjo që ka ndodhur në lagje të tjera, po a do të ndodhë edhe në lagjen tonë? Mendoj se e mbajtëm fjalën! Më vjen mirë që pas parqeve që kemi bërë në cepa të ndryshëm të Tiranës, pas atij te Parku i Liqenit, erdhi koha që edhe në Njësinë 7 të kemi një kënd lojërash. Do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera, derisa të sigurohemi që çdo fëmijë që rritet në Tiranë, të ketë një vend ku të luajë afër shtëpisë së tij”, tha Veliaj.

Veliaj garantoi se investimet e Bashkisë së Tiranës do të vijojnë, dhe se pavarësisht problematikave që ka qyteti, fëmijët do të marrin gjithmonë një vëmendje e veçantë.

“Dua t’i siguroj prindërit, gjyshërit, gjyshet që sa të jemi në Bashkinë e Tiranës, do të investohemi çdo ditë te një qytet më i mirë për fëmijët tanë. E di që qyteti ka shumë problematika, megjithatë besoj se si çdo familje, fëmijët janë të parët, ashtu edhe në familjen tonë të Bashkisë së Tiranës, fëmijët e Tiranës janë të parët”, tha Veliaj.

Pas këtij sheshi, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të inaugurojë pesë kënde të tjera në zonën e Kasharit, Liqenit Artificial, Sulejman Delvina dhe Ali Demi, dhe shpejt do të vijojnë punimet në së paku 3 zona të tjera të Tiranës (në Kombinat – Sheshi Jusuf Dashi; në zonën e Piramidës; Fusha e Aviacionit).

Top Channel