Basha: Zgjedhjet e lira nxjerrin vendin nga kriza. Qeveria po bën gati zhvatjen

01/02/2017 00:00

Mbledhja e radhës e grupit parlamentar të PD, e drejtuar nga kryetari Lulzim Basha, ka pasur në fokus dy çështje “të interesit jetik kombëtar”, zgjedhjet e ndershme dhe garantimi i votës së lirë.

“Sot jemi dëshmitarë të bllokimit total të integrimit në BE, investimet e huaja mungojnë, nuk ka punë, shqiptarët largohen masivisht nga vendi. Dalja nga kjo gjendje është prioritet”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se gjatë vizitave në Uashington, Berlin dhe Bruksel ka marrë mesazhe të qarta për nevojën për të dalë nga kjo situatë.

Sipas Bashës, dalja e Shqipërisë nga kjo situatë kalon përmes zgjedhjeve të lira, luftës kundër krimit, largimit të kriminelëve nga politika, luftës kundër kultivimit të drogës, kundër korrupsionit qeveritar dhe zbatimit të reformës në drejtësi.

“Zgjedhjet e lira e të ndershme janë potencuar si kusht i panegociueshëm për integrimin e vendit, por duket se Rilindja e 1 prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë me çdo kusht gjendjen aktuale, të ruajë status quo-në, ta mbajë të pandryshuar për t’u pasuruar”, ka akuzuar Basha qeverinë.

Sipas tij, pakica e ngushtë në pushtet është pasuruar, duke i siguruar vetes luks dhe pushtet të pakufizuar dhe kjo vërtetohet edhe nga dëshmitë e fundit të ministrit Manjani.

“Që të ruajnë këtë pasuri duhet që droga të mbillet fushave e madje edhe më shumë, duhet që Balili të jetë i lirë, që klientët e tyre të marrin miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë”, ka vijuar Basha.

E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, ka shtuar ai, është kapja, shkatërrimi dhe pushtimi i zgjedhjeve, për të cilat qeveria po përgatitet.

“Për të kapur zgjedhjet kanë bërë gati stokun e parave të pista dhe kriminelët për të kërcënuar votën e lirë, si dhe të përdorin median e kapur”, ka shtuar Basha.

Top Channel