Vizita dyditore e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, në Beograd ka zënë një vend kryesor në shtypin grek. Midis të tjerash, një rëndësi e veçantë u jepet deklaratave që ka bërë ai, për sa i përket shqetësimit nga rritja e zërave nacionalistë, irredentistë dhe intolerantë në rajon.

Gjatë deklaratave të përbashkëta me homologun e tij serb, Tsipras ka theksuar se Ballkani nuk mund të ndërtohet me logjikën e rishikimit dhe ndryshimit të traktateve ndërkombëtare, por vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, respektit të ndërsjellë, dialogut dhe bashkëpunimit, duke komentuar veçanërisht dialogun e vështirë, siç e ka quajtur ai, mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Theksova nga ana ime se, paqja dhe stabiliteti në rajon sigurohen me një zgjidhje të pranueshme nga palët për çështjen e Kosovës, e me këtë këndvështrim, Greqia do të mbetet e qëndrueshme në pozicionimet e saj, pozicionime në parimet e saj në lidhje me këtë çështje”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Nga ana e tij, Aleksandar Vuçiç ka falënderuar Athinën që nuk e njohu pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen që Greqia ka dhënë në integrimin europian të Serbisë.

Në qendër të bisedimeve mes dy kryeministrave ishin gjithashtu edhe çështjet ekonomike, përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe që do të fillojë me një mbledhje të përbashkët të qeverive të të dy vendeve në pranverë, në qytetin e Selanikut, si dhe çështjet rajonale të stabilitetit.

Duke deklaruar se do të kërkojë edhe ndihmën e BE-së, Tsipras ka deklaruar gjithashtu se, për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, përveç linjës moderne hekurudhore që do të bashkojë Beogradin me Selanikun, e si rrjedhim edhe me Portin e Pireut, një projekt tjetër që mund të ndryshojë gjeografinë e Ballkanit është ai i lidhjes së dy qyteteve nëpërmjet lumenjve Aksiu dhe Morava.

Top Channel